Materiale falas në shqip për të mësuar gjuhën programuese Python

Për të gjithë të interesuarit që duan të fillojnë të mësojnë të programojnë, apo që kanë përvojë të mëhershme programimi, por duan që ta shtojnë Python-in në listën e shkathtësive të cilat i posedojnë në zhvillim të aplikacioneve dhe në përgjithësi zgjidhje të problemeve, kemi një lajm të mirë për ju. Ndonëse ka materiale të shumta në anglisht dhe pa pagesë të cilat fare lehtë mund t'i gjeni, tani i kemi këto materiale në shqip.

Kurs falas për avancim të njohurive në JavaScript


Kursi JavaScript: The Good Parts ka si mentor autorin e librit me po të njëjtin emër si të kursit, Douglas Crockford dhe është i synuar që të ndihmojë ata që tashmë kanë njohuri bazike rreth kësaj gjuhe programuese në avancim të gjërave që tashmë i dinë duke kuptuar rreth mundësive të shumta që kjo gjuhë ofron. Kursi zgjat katër orë dhe përveç shikimit të ligjëratave, juve do të ju kërkohet që të shkoni edhe më tutje, duke zgjidhur probleme.

Për shkak të thjeshtësisë që ofron, JavaScript është konsideruar si njëra nga gjuhët më të përshtatshme për të ndihmuar nisjen e rrugëtimit të fillestarëve në botën e programimit. Përveç kësaj, ndonëse duket të jetë e thjeshtë, kjo gjuhë është shumë e fuqishme sa i përket mundësive të shumta që ia ofron zhvilluesit: mund të ndërtohen aplikacione të tëra uebi pa pasur nevojë për përdorim të ndonjë komande në ndonjë gjuhë tjetër programuese. Po ashtu kjo gjuhë gjen zbatim të gjerë në veprimtaritë e zhvillimit të orientuara për platforma të ndryshme si aplikacione mobile, për ueb, ose desktop. 

Ju dëshirojmë mësim të këndshëm.

Kurs pa pagesë për algoritmet në shkenca kompjuterike


Algoritmi është një varg i hapash që paraqesin mënyrën për zgjidhjen e një problemi dhe atë e gjejmë të përdorur kudo, e që një përdorim të madh e gjen edhe në shkenca kompjuterike. Fatmirësisht, tani kemi resurse të pafundme të cilat mund t’i shfrytëzojmë për të mësuar dhe atë pa pasur nevojë të paguajmë asgjë, në mesin e të cilave ekzistojnë edhe kurse të shumta online për të përfituar njohuri rreth algoritmeve.
 
Khan Academy, i cili me punën e tij përbën një revolucion në vete sa i përket edukimit online, në bashkëpunim me Kolegjin Dartmouth nga SHBA-ja ka lëshuar një kurs të hapur dhe pa pagesë, i cili është i përgatitur për fillestarët në algoritme. Ky kurs do të tregojë disa algoritme bazike në shkenca kompjuterike, si algoritmi i kërkimit, i radhitjes, i rekurzionit dhe teorisë së grafeve dhe mësimi realizohet me një kombinim të artikujve, visualizimeve, testimeve dhe sfidave në programim.

Nëse keni njohuri për algoritme, atëherë ju mund t’i kaloni disa mësime fillestare dhe thjesht të kaloni tek pjesët të cilat mund të mos i dini, apo nëse i dini të gjitha temat që trajtohen në kuadër të kursit, ju thjesht mund t’i nënshtroheni testeve dhe të sfidoni veten me sfidat në programim që do të paraqiten, prandaj mund të themi që ky kurs mund të jetë i përshtatshëm për shumëkënd.

Ju dëshirojmë mësim të këndshëm.

Kurs falas për Android


 
Do të ishte çudi nëse do të ishit duke e lexuar këtë artikull e të mos keni dëgjuar të paktën një herë emrin Android. Ky sistem operativ mobil është shumë i përhapur dhe momentalisht, sipas statistikave ndodhet në më tepër se 70 për qind të pajisjeve mobile, andaj zhvillimi i aplikacioneve të cilat funksionojnë në të është gjë mjaft e çmueshme dhe mund të shpërblehet mjaft shumë falë popullaritetit dhe audiencës së madhe që mund të merrni nëse programoni ndonjë aplikacion i cili arrin të tërheqë vëmendje.

Për të ju ndihmuar në aftësimin tuaj për të programuar në Android, ky kurs mund të ju ndihmojë mjaft shumë, duke ju dhënë disa njohuri fillestare për programimin në këtë platformë, si dhe duke ju pajisur me aftësi të nevojshme për të marrë hapat e parë drejt përgatitjes së aplikacioneve mobile.
Ky kurs do të ju tregojë për instalimin, përgatitjen e ambientit të punës, konfigurimin e veglave të punës, dizajnimin e pamjes së aplikacioneve, ndërveprimin me pamjen e aplikacionit, përdorimin e bazës së të dhënave e gjëra të tjera që kanë të bëjnë me platformën Android.

Kursi mbahet nga i diplomuari si magjistër i shkencave në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe autori i disa punimeve hulumtuese shkencore, në mesin e të cilave ndodhet një punim për Android, Arbnor Halili.

Ky kurs përveç që është për fillestarë, mund të shikohet edhe nga ata që kanë bërë tashmë aplikacionet e para për Android, pasi që mund të ju ketë shpëtuar ndonjë gjë pa e mësuar deri tani, e që mund të ju ndihmojë në punën tuaj në të ardhmen.

Resurse online për programim të rekomanduara nga programuesit


Nëse dëshironi të filloni të mësoni programim, por nuk e dini se nga ku të filloni, njerëzit që kanë kaluar nëpër të njëjtat vështirësi mund të jenë adresë e qëlluar për të kërkuar ndihmë. Dhe një faqe, për të cilën me siguri fatkeqësisht nuk keni dëgjuar, është hapur për të ju ndihmuar me këshilla nga njerëz me përvojë.
 
Faqja TeachYourselftoCode.com është një faqe mjaft e thjeshtë dhe nuk ka shumë përmbajtje, por mund të jetë mjaft e dobishme për shumëkënd, sepse në të mund të gjeni këshilla dhe rekomandime për top resurset online për të mësuar programim. Deri më tani janë vendosur këshilla për disa gjuhë programuese si Ruby,  Rails, HTML/CSS, Python e JavaScript dhe resurse për të mësuar programimin në iOS.

Nëse dëshironi të jepni këshilla për të tjerët, duke iu treguar mundësitë e mira që ndodhen online për të mësuar, atëherë mund të regjistroheni dhe të postoni për to në këtë faqe. 

Shpresojmë që kjo faqe të mund të ju hyjë në punë ndonjëherë që të mësoni se nga t’ia filloni të mësoni ndonjë gjuhë programuese. Si dhe, mbesim me shpresë që të bëhet shtimi edhe i rekomandimeve për gjuhët e tjera programuese, që të mund të përfitojnë sa më tepër ata që janë duke u ballafaquar me vështirësi në fillet e tyre në rrugën drejt programimit.

Kurs online falas për PHP & MySQL

Në kuadër të faqes shumë të dobishme me kurse online për programim UneJamKoder.com së fundi është shtuar edhe një kurs i ri për mësimin e PHP & MySQL. Ky kurs ligjërohet nga Mr. Ridvan Bunjaku, i cili është arkitekt softuerik në kompaninë e cila qëndron parapa faqes UneJamKoder.com, EDUonGO.
 
PHP është një gjuhë mjaft e famshme programuese, e cila në fakt përdoret nga 244 milionë faqe (statistikë nga janari i vitit 2013), andaj mësimi i kësaj gjuhe mund të jetë gjë mjaft e dobishme.
Sipas përshkrimit të kursit, apo klasës siç është përmendur në faqen në të cilën ndodhet, ai apo ajo i ndihmon studentët që të mësojnë gjërat bazike të PHP-së, lidhjen me bazën e të dhënave MySQL dhe përvojë në programim dinamik nga ana e serverit. Ridvan Bunjaku shpjegon pjesët e CRUD-it (Create Read Update Delete) dhe teknika të ndryshme për “debugging”.

Ky kurs i përfshin këto tema
  • Format HTML
  • Skriptat PHP që i procesojnë format HTML
  • Krijimi i bazës së shënimeve dhe tabelës
  • Lidhja me MySQL nga PHP

Për ta ndjekur kursin mund të shkoni tek kjo faqe.
Tani, ajo që ju mbetet juve është të mësoni dhe dijen e fituar ta shfrytëzoni në përgatitjen mjeshtërore të uebfaqeve.

Postimet e popullarizuara